“16 Shtatori” Shijak
Shkolla ‘’16 shtatori’’ është shkolla e parë dhe e vetme e mesme e ndërtuar në qytetin e Shijakut. Meqenëse ajo është ndërtuar vite më parë me kalimin e kohës ka pësuar ndryshime të vazhdueshme derisa ka arritur në gjendjen që është sot.
Në mars të vitit 1913 u hap shkolla e parë shqipe në Shijak, me urdhër të Qeverisë së Ismail Qemalit. Ajo u njoh me emrin ‘’ Shkolla Unike’’ dhe drejtori i parë i saj ishte z. Ali Fortuzi. Me kalimin e kohës shkolla u pasurua me shumë nxënës dhe kjo çoi në formimin e një gjimnazi. Në nder të konferencës së Pezës gjimnazi mori emrin ‘’16 shtatori’’, ndërsa shkolla fillore u quajt ‘’Lidhja e Prizrenit’’.
Në shtator të vitit 1959 filluan mësimin dy paralelet e para të vitit të parë të gjimnazit rreth me 60 nxënës. Bazë për gjimnazin ishin klasat e shtata të vitit shkollor 1958 - 1959 dhe nxënës të fshatrave të ndryshëm si: Xhafzotaj, Shtrazë, Maminas, Sukth, Rreth, Shetel, Ardhishte etj. Drejtori i parë i shkollës ishte z. Burhan Hoti dhe shkolla u çel në prag të 15 - vjetorit të Çlirimit të Shqipërisië.
Në vitin 1963 gjimnazi nxorri 25 maturantët e parë, të cilët u quajtën ‘’Dallëndyshet e para’’. Ndërkaq në 1968 Presidenti i Kuvendit Popullor i jep shkollës ‘’Urdhërin e Punës së Klasit të Tretë’’ për rezultate gjithmonë në rritje.
Në 30 vjetorin e saj shkolla numëronte 461 nxënës me shkëputje nga puna dhe 390 pa shkëputje nga puna. Në të jepnin mësim 23 mësues. Ndërkaq më 1970 - 1971 hapet paraleli i parë i degës Agronomi dhe hapen profile si: Mekanike, Ekonomike.
Me 22 nëntor 1989 në shkollën ‘’16 shtatori’’, me rastin e 30-vjetorit të saj, u mbajt sesioni shkencor ‘’Shkolla jonë ndër vite’’. Gjimnazi ishte dalluar për arritje të gjithanshme me veprimtari kulturore, artistike, shkencore dhe nivel të lartë mësimor-edukativ, duke u vlerësuar me çmime të ndryshme. Shkolla ka marrë fletë nderi për aktivizim të gjithanshëm në të gjitha drejtimet.
Gjimnazi është dalluar për mësues me cilësi të lartë të cilët si pasojë kanë nxjerrë nxënës me nivel të lartë, e kjo është treguar dhe në nivelin e lartë të maturantëve, shumë prej të cilëve kanë fituar degë të ndryshme universiteti.
Sot shkolla ‘’16 shtatori’’ ka 11 klasa. Viti i parë ka 4 paralele, i dyti 3 dhe i treti 3 paralele. Në këtë shkollë japin mësim 21 mësues dhe drejtori aktual është z. Gentian Shahini.
- Published in Shkolla “16 Shtatori” Shijak
“Shote Galica” Fushë-Krujë
Shkolla e re "Shote Galica" në Fushë-Krujë, falë një investim të qeverisë ka siguruar infrastrukturë optimale për programin mësimor, por edhe për veprimtaritë komunitare. Shkolla është emëruar pas heroinës së popullit Shote Galica (luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare dhe për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri).
- Published in Shkolla “Shote Galica” Fushë-Krujë
“Ibrahim Rugova” Kamëz
Shkolla “Ibrahim Rugova” gjendet ngjitur me “Bulevardin Blu” Kamëz. Ajo është hapur në vitin 1961 dhe aktualisht funksionon vetëm në profilin e gjimnazit.
Emrin që mban sot shkolla, e mori në vitin 2010 me vendim të Këshillit Bashkiak Kamëz. Në këtë shkollë studiojnë 1370 nxënës dhe japin mësim 67 mësues. Është viti i parë shkollor që ajo funksionon si ShQK. Deri tani janë organizuar takimet me prindër dhe nxënës sipas planit të ShQK.
- Published in Shkolla “Ibrahim Rugova” Kamez
“Zihni Magani” Peqin
Gjimnazi `Zihni Magani` i ndërtuar në vitin 1958 ndodhet në qendër te Peqinit. Ajo është e vetmja shkollë e mesme e qytetit dhe një nga 2 shkollat që ndodhen në rrethin tonë. Kjo shkollë ka ekzistuar më parë si shkollë e mesme e bashkuar, së bashku me ciklin 8-vjecar (sot 9-vjeçar). Me vonë pranë saj u hap dhe profili bujqësor i mesëm, krahas shkollës së mesme të përgjithshme dhe së fundmi funksionon si gjimnaz. Nga kjo shkollë kanë dalë me dhjetra e qindra kuadro që sot militojnë në gjithë vendin tonë e më tej.
Shkolla jonë ka 11 klasa mësimi me nxënës, sallën e mësuesve , palestrën (që është restauruar, me fond të financuar nga shteti, me standardet e kohës), zyrën e drejtorisë dhe nën/drejtorisë, bibliotekën, laboratorin e fizikës me aneks, 1 kabinet informatike dhe një klasë dixhitale, 3 (tre) banjo një në katin e parë e tjetra në katin e dytë, për vajza e djem dhe një në katin e tretë për personelin mësimdhënies. çdo klasë është e pajisur me perde, dërrasë të zezë, tavolina e karrige. Në vitin 1919 u krijua dhe klasa model e muzeut. Klasa multifunksionale është bërë një klasë model e krijuar me ndihmën e IDM Albania.
- Published in Shkolla “Zihni Magani” Peqin
“Sadik Stavileci” Kashar
Gjimnazi "Sadik Stavileci" është ndërtuar në qendër të fshatit Katund i Ri i cili shtrihet në perëndim të Tiranës, në një largësi prej 5 km larg qytetit. Mbështetur në të dhënat e historikut të përgjithshëm të zhvillimit të arsimit të rrethit Tiranë rezulton se shkolla fillore në Katund të Ri u çel më 15 shtator 1966. Në tetor të vitit 1969, në kuadrin e 25-vjetorit të çlirimit të vendit, shkollës iu vendos emri “Sadik Stavileci”. Shkolla tashmë gëzon emrin e dëshmorit “Sadik Stavileci”.
Në vitin 1969 u ngrit ndërtesa 2- katëshe e shkollës. Në vitin 1972 ky objekt u rikonstruktua duke iu bërë shtesë, në vitin 2000 shkolla rikonstrukturohet sërisht. Godina është ndërtuar në vitin 2008, duke plotësuar të gjithë parametrat e një shkollë bashkohore e mjaft moderne. Shkolla është inaguruar në prill të vitit 2009 me një ceremoni tejet festive. Ajo ka arkitekturë bashkohore me ambiente e hapësirë të bollshme. Ajo është përfshirë në iniciativa kombëtare dhe lokale si olimpiada lëndore, sportive, aktivitete kulturore, etj. Nga viti 2013 e në vazhdim Gjimnazi "Sadik Stavileci" funksionon si Shkollë Qendër Komunitare.
Shkolla Qendër Komunitare, një shkollë miqësore për të gjithë është një qasje (lëvizje promovuese dhe zhvilluese) për ta kthyer shkollën në vendin ku ndërtohet partneriteti shkollë-familje-komunitet dhe bashkëpunohet për zhvillimin e potencialit të plotë të çdo nxënësi.
- Published in Shkolla “Sadik Stavileci” Kashar Tiranë
“Isa Boletini” Vorë
Viti shkollor 1967-1970 shënoi shtrirjen e plotë të arsimimit 8-vjeçar në fshatrat që përfshinte lokaliteti i Vorës. Kjo shtrirje krijonte kushte të favorshme për arsimim të mëtejshëm ndaj lindi nevoja për domosdoshmërinë e hapjes së shkollës së mesme për nxënësit që përfundonin klasat e (VIII) që pajiseshin me dëftesë lirimi nga shkollat 8-vjeqare. Në këtë situatë në shtator 1970 nisi viti i parë i shkollës së mesme të arsimimit të përgjithshëm në Vorë.
Shkolla e mesme Vorë shërbeu për arsimimin e mëtejshëm të nxënësve që mbaruan klasën e (VIII) në shkollat 8-vjeçare Vorë, Marikaj, Gërdec, Gjokaj, Marqinet, Muçaj por edhe fshatrat fqinjë si: Fush-Prezë, Gjec-Kodër, Ahmetaç, Bërxullë, Kashar. Viti shkollor 1970-1971 nisi me 27 nxënës. Në këto vite në fshat preferohej arsimimi profesional pedagogjik, mjekësor, mekanik, ekonomik, ngaçë me kryrjen e këtyre shkollave siguroheshin profesione që në atë kohë ishin shumë të nevojshme.
Viti shkollor 1971-72 solli ndryshim në përmbajtjen e kësaj shkolle. Dega e arsimit të përgjithshëm u mbyll, pasi u dha orientimi që nëpër fshatra të hapeshin shkolla të mesme të bashkuara. Kështu krahas vitit të II që ishte gjimnaz i përgjithshëm nisi viti i I me profil bujqësor.
Në vitin shkollor 1986-87 u bë e mundur shkëputja e nxënësve të ciklit 8-vjeçar duke krijuar drejtori të vecantë. Këtë vit shkollor d.m.th pas 15 vitësh, në shkollën e mesme, krahas klasave me profil bujqësor, rifilloi arsimi me profil të përgjithshëm (gjimnaz) më një paralël. Më arsimin bujqësor dhe një paralel të profilit të përgjithshëm u punua deri në vitin shkollor 1994-95. Këtë vit në shkollë filloi zbatimi i plotë i programit të arsimit të përgjithshëm.
Viti shkollor 2005-2006 solli rikonstruksionin e godinës së shkollës. Ndërtesa 2-katshe u bë 3-katshe duke iu shtuar 9 dhoma mësimi. Me 25 maj 2006 bëhet përurimi.
Kjo shkollë ka qënë dhe mbetet burimi kryesor për vazhdimin e arsimit të lartë nga banorët e kësaj treve. Edukimi patriotik-atdhetar i nxënësve ka qënë dhe mbetet një fushë tjetër e rëndësishme e veprimtarisë të kësaj shkolle. Gjatë periudhës 39 vjeçare, 1970-2009 kanë përfunduar shkollën e mesme Vorë dhe janë pajisur me dëftesë pjekurie 1442 nxënës, nga këto 934 (64.8%) në arsimin e mesëm bujqësor dhe 508 (35.2%) në arsimin e përgjithshëm. Nga këto mbi 150 vetë (mbi 11%) kanë kryer arsimin e lartë në fakultete të ndryshme.
- Published in Shkolla “Isa Boletini” Vorë
“Dom Nikollë Kacorri” Durrës
Kjo shkollë hapi dyert më 18.11.2003 për herë të parë.
Kjo shkollë lindi si domosdoshmëri e lëvizjes demografike nga të gjitha zonat e Shqipërisë. Ishin këta nxënës që për mungesë të këtij institucioni detyroheshin të frekuentonin shkollat e tjera në distancë të largët dhe infrastrukturë jo të mirë. Ishte këmbëngulja e komunitetit dhe etja e fëmijëve për dije, si dhe bashkëpunimi institucional që mundësoi edukimin dhe shkollimin më afër qendrave të banimit.
Shkolla e filloi punën me 718 nxënës nga të cilët 398 në ciklin e ulët dhe 329 në ciklin e lartë, me 23 klasa mësimore (12 cikli i ulët dhe 11 cikli i lartë).
Procesi mësimor dhe edukativ filloi me laborator fizike, kimie dhe pajisjet e domosdoshme për realizimin e kurrikulës së shkollës. Në vitin e parë mbaruan ciklin 8-vjeçar, 68 nxënës nga të cilët 31 femra, nga këto vazhduan shkollën e mesme 52 nxënës dhe është kënaqësi të përmendim që 17 prej tyre kanë vazhduar këtë vit studimet e larta. Nga viti në vit u rrit interesi i nxënësve për të përfituar dije dhe u rrit numri i nxënësve në shkollë.
Në vitin shkollor “2011-2012” shkolla numëroi 1101 nxënës nga të cilët 527 janë femra pra një rritje me 30% të numrit të nxënësve në krahasim me vitet e para të hapjes.
Shkolla më pas morri emrin “Dom Nikollë Kacorri” duke kryer vetëm funksionin e gjimnazit.
Sot në gjimnazin “Dom Nikollë Kacorri” kryejnë procesin mësimor 162 nxënës në 6 klasa të ndryshme, ku japin mësim 13 mësues të kualifikuar.
Shkolla “Dom Nikollë Kacorri” ndodhet në Rrugën “Lydra”, Njësia Administrative nr 6, lagjia 14, Durrës.
- Published in Shkolla “Dom Nikoll Kacorri” Durrës
Fillimi i projektit
Shkolla Qendër Komunitare - Përtej kornizës së shkollës
Tiranë, 19 Dhjetor 2019– Pas muajsh përgatitje, u miratuan planet e para të veprimit për Shkollat Qendra Komunitare në Durrës, Vora, Peqin, duke shënuar fillimin e zbatimit të projektit “Ndërtimi i komuniteteve të qëndrueshme ndaj ekstremizmit të dhunshëm përmes modelit ‘Shkollës si Qendra Komunitare”.
- Published in Aktivitete