“Shkolla ime” mbështetet në përvojat novatore, modelet dhe aktivitetet e zbatuara nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në kuadër të nismës “Shkolla Qendër Komunitare” (SHQK).
Eksperienca e ngritur mbi modelin “Shkolla Qendër Komunitare”, integron ndërveprimin e institucioneve kryesore në nivel vendor, ndërmjet tyre dhe me komunitetet vendore, në partneritet me shkollat e mesme të përfshira SHQK.
Si një qasje shumë-aktoriale në nivel vendor, modeli “Shkolla Qendër Komunitare” nxit rolin aktiv të institucioneve vendore - Bashkia, Policia e Shtetit - të cilat së bashku me komunitetet vendore - prindërit, grupet rinore dhe shoqërinë civile - rrisin shanset për një zhvillim të shëndetshëm, të sigurt dhe të qëndrueshëm të të rinjve dhe komuniteteve vendore.
Pas një pilotimi të suksesshëm në shkollat e mesme në Cërrik dhe Peqin, nisma u shtri edhe në 14 njësi vendore të ndryshme.
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim synon ta ndajë me të gjithë aktorët e interesuar partneritetin me aktorët pranë shkollave ku punon si dhe përvojën e krijuar. Mirëpresim çdo komunikim nga shkolla të tjera SHQK, individë dhe institucione vendore, në dobi të përpjekjeve të vazhdueshme për krijimin e komuniteteve sa më të qëndrueshëm kundër ekstremizmit të dhunshëm.