
“Sporti bashkon të rinjtë” është nisma e ndërmarrë së fundmi nga dy gjimnazet pjesë e qasjes shumaktoriale Shkolla Qendër Komunitare – gjimnazi „Isa Boletini“ në Vorë dhe shkolla e mesme e bashkuar „Imzot Lucjan Avgustini“ e Vaut të Dejës. Kjo nisëm synon promovimin e socializimit mes të rinjve përmes aktiviteteve të përbashkëta sportive.
Nga të dyja shkollat u përzgjodhën një grup nxënësish, djem dhe vajza, të cilët u stërvitën për të zhvilluar ndeshje sportive në disiplinën futboll dhe volejboll. Secili grup udhëtoi në qytetin tjetër dhe vizituan shkollën përkatëse, duke u njohur më nga afër me aktivitetet që të rinjtë zhvillojnë në komunitetin e tyre përtej mësimit. Më pas u zhvilluan dhe ndeshjet sportive, përmes të cilave të rinjtë mundën të miqësoheshin edhe më shumë me njëri-tjetrin.
I gjithë procesi i organizimit të skuadrave të të rinjve dhe përgatitjes së tyre për këto përballje, u lehtësuan nga mësues të edukimit fizik dhe koordinatorët e SHQK nga të dyja gjimnazet, duke siguruar një mjedis mbështetës dhe bashkëpunues për të rinjtë.
Kjo nismë u ofroi të rinjve një përvojë unike të krijimit të miqësive të reja dhe lidhjeve bashkëpunuese ndërmjet dy shkollave. Njëkohësisht i nxiti të rinjtë të jenë më aktivë në veprimtari sociale, kulturore dhe sportive si brenda komuniteteve të tyre ashtu edhe më gjerë. Duke bashkuar të rinj nga qytete të ndryshme, kjo nismë nxori në pah fuqinë e sportit për të bashkuar të rinjtë dhe për të promovuar vlerat e bashkëpunimit, respektit dhe angazhimit në komunitet.











