
Në kuadër të modelit Shkolla Qendër Komunitare, gjimnazi “Myslym Keta” në Tiranë ndërmori një nisëm për të organizuar ditët e hapura në shkollë. Kjo nisëm kishte për qëllim nxitjen e aktivizimit të të rinjve dhe hapjen e shkollës ndaj komunitetit përreth.
Të rinjtë gjimnazistë, nën kujdesin e mësuesve, përgatitën një aktivitet të plotë artistik, kulturor e sportiv, të cilin e prezantuan më së miri para një publiku të gjerë prindërish, mësuesish, përfaqësues të njësisë administrative Kombinat, dhe bashkëmoshatarë të tyre.
7 klubet SHQK të të rinjve në shkollë kishin bërë një përmbledhje të arritjeve dhe projekteve të tyre të viteve të fundit, prezantimi i të cilave u shoqërua me emocione dhe vlerësime për punën e bërë.
Kjo nismë merr një rëndësi të veçantë pasi promovon marrëdhënie të shëndetshme, miqësore dhe bashkëpunuese midis gjimnazistëve, prindërve dhe anëtarëve të komunitetit; inkurajon vetëvlerësimin e të rinjve duke promovuar kontributet dhe talentet e tyre; dhe forcon lidhjet ndërmjet shkollës dhe komunitetit lokal, duke nxitur një mjedis mbështetës dhe gjithëpërfshirës.
Në synimet e shkollës, është që kjo ditë të përsëritet çdo vit dhe të shihet si një mënyrë e mirë e promovimit të shkollës në komunitet, duke e afruar këtë të fundit edhe më pranë të rinjve dhe shkollës.









