
Për t’u dhënë nxënësve mundësinë të mësojnë rreth shkollave, qyteteve dhe traditave të tjera kulturore brenda vendit tonë, gjimnazi Manëz zhvilloi një nismë rrjetëzimi me gjimnazin “Muharrem Çollaku” në Pogradec. Kjo ide u gjenerua nga vetë nxënësit, të cilët shprehën interes për të takuar bashkëmoshatarë nga shkolla të tjera të përfshira në aktivitete të ndryshme jashtëshkollore me ndikim pozitiv në komunitetet e tyre, në kuadër të modelit Shkolla Qendër Komunitare.
Qëllimi i kësaj nisme ishte inkurajimi i nxënësve nga të dyja shkollat për të shkëmbyer përvoja, për të adoptuar praktika të suksesshme, për të promovuar talentet dhe për të eksploruar mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen.
Gjatë vizitës në Pogradec, nxënësit e gjimnazit Manëz u njohën me historikun e gjimnazit “Muharrem Çollaku”, shijuan tingujt e himnit të veçantë të shkollës, vizituan laboratorët sipas lëndëve përkatëse dhe panë nga afër klasën multifunksionale ku nxënësit zhvillojnë aktivitetet e tyre. Kjo hapësirë multifunksionale është një element i rëndësishëm i promovimit të talenteve në shkollën “Muharrem Çollaku”. Nisma hodhi bazat për një bashkëpunim të vazhdueshëm midis dy shkollave, duke nxitur shkëmbimin e përvojave pozitive dhe aktivizimin e të rinjve në komunitetin e tyre, përmes talenteve që ata kanë.







