
Bazuar në suksesin e Klubeve Rinore në gjimnazin “16 Shtatori” vitin e kaluar, dhe ndikimin e tyre pozitiv në komunitet, Bashkia Shijak ndërmorri nismën për organizimin e klubeve verore në qytet. Nëpërmjet kësaj nisme, synohet që qasja SHQK të zgjerohet edhe në shkollat e tjera, duke shërbyer si katalizator për të promovuar modelin pozitiv dhe për t’ju imponuar të rinjve ndryshime pozitive në jetën e tyre të përditshme. Gjithashtu, këto klube janë një mundësi ku të rinjtë jo vetëm marrin njohuri rreth fushave përkatëse, por edhe miqësohen me njëri-tjetrin e ndajnë ide dhe pikëpamje edukative mes tyre.
Gjimnazi “16 Shtatori”, i cili i ka realizuar dhe vjet klubet rinore, mundësoi mjediset e tij për zhvillimin e aktiviteteve, nën kujdesin e ekipit të përzgjedhur me specialistë të fushës nga bashkia dhe mësues të lëndëve përkatës të shkollave. Përpjekja bashkëpunuese mes mësuesve, të rinjve dhe bashkisë mundësoi një angazhim gjithëpërfshirës, duke bashkuar një numër të konsiderueshëm të rinjsh në të gjithë qytetin.
Kjo nismë jo vetëm që demonstron rolin kryesor të institucioneve arsimore në zhvillimin e komunitetit, por gjithashtu tregon efektivitetin e përpjekjeve të koordinuara mes shkollave dhe pushtetit vendor për krijimin e një mjedisi mbështetës për të rinjtë.










