
Në kuadër të aktiviteteve “Shkolla Qendër Komunitare”, u organizuan një seri takimesh të hapura në stilin e ‘Bisedave në kafe’, kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.
Këto biseda bënë së bashku të rinjtë me vendimmarrës lokalë, personalitete publike, ish-nxënës gjimnazistë, dhe anëtarë të komunitetit, ku përmes dialogut dhe ndërgjegjësimit, të promovohet respekti, toleranca, dhe gjithëpërfshirja midis të rinjve.
Të rinjtë anëtarë të Këshillave Vendorë Rinorë ishin iniciatorët e këtyre takimeve. ‘Bisedat në kafe’ shërbyen për të nxitur dhe motivuar të rinjtë për të ardhmen e tyre, si dhe për t’u dhënë atyre një ndjenjë vetëvlerësimi. Disa nga temat e trajtuara në këto takime ishin: Gjuha e urrejtjes dhe mënyra e trajtimit të saj, promovimi i tolerancës dhe respektit, përfshirja e të rinjve, avantazhet dhe disavantazhet e internetit dhe IA-s dhe lidershipi.
Ky aktivitet u frymëzua nga lëvizja “Orët kundër urrejtjes” (“Hours Against Hate”) në Milwaukee, Wisconsin të SHBA-së, e cila synon të ndihmojë në dhënien fund të urrejtjes në komunitetet lokale.






