“Shkolla ime” mbështetet në përvojat novatore, modelet dhe aktivitetet e zbatuara nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në kuadër të qasjes shumaktoriale “Shkolla Qendër Komunitare” (SHQK).
Eksperienca pesë vjeçare e ngritur mbi modelin “Shkolla Qendër Komunitare”, integron ndërveprimin e institucioneve kryesore në nivel vendor, midis tyre dhe me komunitetet vendore, në partneritet me shkollat e mesme të përfshira në këtë qasje të re SHQK.
Si një qasje shumaktoriale në nivel vendor, modeli “Shkolla Qendër Komunitare” nxit rolin aktiv të institucioneve vendore - Bashkia, Policia e Shtetit, Zyra Vendore Arsimore - të cilat së bashku me komunitetet vendore - prindërit, grupet rinore dhe shoqërinë civile - rrisin shanset për një zhvillim të shëndetshëm, të sigurt dhe të qëndrueshëm të të rinjve dhe komuniteteve vendore.
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim është i pranishëm në 22 shkolla të mesme të përgjithshme dhe synon të ndajë me të gjithë aktorët e interesuar këtë qasje shumaktoriale në nivel vendor. Mirëpresim çdo komunikim nga shkolla të tjera SHQK, individë dhe institucione vendore, në dobi të përpjekjeve të vazhdueshme për krijimin e komuniteteve të qëndrueshëm kundër ekstremizmit të dhunshëm.