
Gjimnazi “Halit Berzeshta” në Prrenjas ka ndërmarrë një nismë për të përmirësuar mjedisin e saj të jashtëm, duke synuar jo vetëm angazhimin e të rinjve por dhe shtimin e hapësirave clodhëse për komunitetin.
Shkolla ka një hapësirë shumë të madhe përreth, e cila me pak përmirësime mund të vendoset lehtësisht në shërbim të komunitetit. Kjo ide erdhi nga stafi i shkollës, me dëshirën e mirë për t’i nxitur sa më shumë të rinjtë drejt aktivizmit dhe veprimtarive vullnetare, përmes përdorimit të burimeve të ndryshme në dispozicion. Gjithashtu, shkolla qëndron e hapur edhe gjatë pasdites, ku shumë të rinj dhe fëmijë praktikojnë disiplina të ndryshme sportive në oborrin e shkollës.
Ideja konsiston në rregullimin e mjedisit të jashtëm, me ndihmën e bashkisë dhe të komunitetit të shkollës, për ta bërë sa më të shfrytëzueshëm nga të rinjtë / të rejat e komunitetit përreth. Hapësira është përmirësuar dhe mbjellë me lule dekorative, janë vendosur disa stola në oborrin e shkollës, si dhe drurë kufizues të hapësirave të mbjella me lule, të cilët u punuan nga nxënësit dhe mësuesit e shkollës.
Kjo nismë jo vetëm që i pajis të rinjtë me aftësi praktike, por gjithashtu i ndërgjegjëson ata për të kontribuar pozitivisht në komunitetin e tyre nëpërmjet përdorimit kuptimplotë të kohës së lirë.







