
Parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve mes të rinjve duke adresuar nevojat e tyre, përgjegjësitë dhe shkaqet e çdo konflikti të mundshëm, e bëjnë shkollën një vend të sigurt për të gjithë nxënësit dhe rikthen besimin tek komuniteti.
36 drejtorë dhe mësues të shkollave të mesme, pjesë e qasjes “Shkolla Qendër Komunitare”, ndoqën trajnimet dy ditore mbi drejtësinë restauruese në shkolla, zhvilluar përgjatë mars-prillit 2024. Qëllimi i këtyre trajnimeve ishte ndërtimi i kapaciteteve dhe aftësive të pjesëmarrësve në menaxhimin e konflikteve dhe praktikat restauruese që kanë të bëjnë me konfliktet në mjedisin shkollor, zhvilluar sipas modelit “Trajnim i Trajnerëve”.
Përmes këtij trajnimi ToT, pjesëmarrësit u pajisën me strategji efektive për të transmetuar njohuritë tek stafi i shkollës, duke mundësuar parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit midis nxënësve dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më mbështetës brenda shkollës.
Temat kryesore të diskutuara në trajnim ishin:
– Vizioni dhe drejtimi i Shkollës si Qendër Komunitare;
– Zgjidhja alternative e konflikteve në mjediset shkollore;
– Konceptet e Drejtësisë Restauruese; dhe
– Kodi i Etikës së mësuesit.
Gjithashtu, u dhanë këshilla praktike dhe ushtrime në grup se si të përdoren në mënyrë efektive parimet e drejtësisë restauruese, duke nxitur një klimë pozitive në shkollë dhe promovuar zgjidhjen e konflikteve dhe pajtimin mes nxënësve.
Përgjatë diskutimeve të lira, nga të gjithë pjesëmarrësit u theksua nevoja e stafit akademik në shkolla për më shumë njohuri në fushën ligjore, si dhe vendosja e një komunikimi të kujdesshëm dhe të hapur me të rinjtë gjimnazistë.



















