“Klubi i stilimit”, i krijuar në shkollën e mesme “Ibrahim Rugova” në Kamëz përmes qasjes shumaktoriale “Shkolla Qendër Komunitare”, vazhdon të fuqizojë të rinjtë duke ofruar mundësi të vazhdueshme për zhvillimin e aftësive të tyre dhe rritjen profesionale. Si pjesë e kësaj nisme, një grup nxënësish nga Klubi i stilimit, patën privilegjin të takojnë stilisten amerikane të modës së qëndrueshme Noor Bchara.
Noor ndau përvojat e saj të vlefshme me të rinjtë, duke ofruar njohuri mbi botën e stilimit dhe zhvillimin e karrierës në industrinë e modës.
Gjatë takimit, Noor demonstroi metoda praktike për riciklimin dhe ripërdorimin kreativ të veshjeve të përdorura, duke u mësuar të rinjve se si të transformojnë rrobat e vjetra në produkte të reja e interesante. Kjo qasje praktike jo vetëm që i frymëzoi të rinjtë, por gjithashtu i njohu ata me praktika të qëndrueshme që mund të ndjekin në karrierën e tyre të ardhshme. Në takim morën pjesë edhe mësues e prindër të shkollës, të cilët janë angazhuar vullnetarisht në ofrimin e kurseve në klubin e stilimit.