Të rinj nga disa shkolla të mesme të vendit u bënë pjesë e start-up hackathon “Teknologjia dhe Komuniteti”. Eventi kishte për qëllim promovimin dhe motivimin e studentëve për të zhvilluar ide dhe start-up në fushën e IT-së, përmes njohjeve të reja dhe shkëmbimit të eksperiencave mes tyre.
Të ndarë në grupe të ndryshme (11 ekipe gjithsej), studentët punuan së bashku në një temë novatore të orientuar drejt nevojave të komunitetit në nivel lokal. Nën mbikëqyrjen e mentorëve, të rinjtë mësuan se si të zhvillojnë më mirë konceptet e tyre dhe të dixhitalizojnë idetë e tyre të biznesit.
Eventi u përshëndet dhe nga Zëvendës Shefja e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, znj. Amanda Roberson, e cila zhvilloi një diskutim gjallërues me nxënësit dhe i nxiti ata të vazhdojnë të punojnë dhe të ndjekin ëndrrat e tyre në fushën e teknologjisë.
Pas prezantimit të ideve të secilit grup, një juri profesionale ndau tre grupet e mëposhtme me “çmimin e idesë më të mirë”:
– Vendi i parë: 1ZZ0# me aplikacionin ËIO, duke ndihmuar të rinjtë të lidhen me biznese që ofrojnë mundësi për sport, biblioteka, librari, palestra, ambiente studimi etj.
– Vendi i dytë: THUNDER, i zhvilluar si një aplikacion për të gjithë admiruesit e ecjes. Ky aplikacion synon të përmbledhë të gjithë informacionin dhe mjetet e nevojshme për zhvillimin e këtij sporti në Shqipëri.
– Vendi i tretë: Ndihme.Shqip është zhvilluar nga nxënës të shkollave të mesme të Rrogozhinës, Krujës dhe Peqinit. Aplikacioni i tyre do të ndihmojë në trajtimin e çështjeve të ngacmimit. Në këtë faqe interneti, të rinjtë dhe fëmijët mund të gjejnë informacion dhe të kërkojnë ndihmë nga psikologët dhe vullnetarët se si t’i përgjigjen bullizmit. Gjithashtu, faqja e internetit do të përfshijë histori nga të rinjtë që kanë përjetuar bullizëm duke dhënë këshilla bazuar në secilin skenar.
Pavarësisht nga qytetet dhe shkollat që përfaqësonin të rinjtë në Hackathon, ata formuan ekipe të ndryshme dhe arritën të ndajnë ide të vecanta duke punuar si ekip. Të rinjtë patën mundësinë të njihen me bashkëmoshatarë të tjerë dhe të ndajnë interesat e tyre të përbashkëta, duke e bërë këtë hackathon një përvojë unike për ta.
Ky hackathon është vazhdimi i një serie trajnimesh të zhvilluara mbi TIK-un dhe kodimin me 111 nxënës nga gjashtëmbëdhjetë shkolla të mesme si pjesë e projektit “Shkolla si qendër komunitare” gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2021. Gjatë sesioneve të trajnimit, të rinjtë mësuan se si të kodojnë në Python dhe morën njohuri mbi konceptet robotike.