Autore: Klara Rizvani
Për secilin prej nesh, lajmet e bujshme ngjallin interes. Nxitojmë të informohemi të parët pa i kushtuar rendësi burimit të informacionit. Duhet të jemi të vetëdijshëm që jetojmë në një kohë ku njerëzit për disa klikime më tepër prodhojnë lajme të pavërteta.
“Fake News” konsiderohen sot jo thjesht si një fenomen, por si një epidemi në industrinë mediatike. Infodemia është virus i moderuar ndaj të cilit antitrupat nuk kanë efekt , por vaksina ndaj saj është çdo “kokë e mençur” që informohet për burimin e informacionit dhe identitetin e publikuesit.
Por çfarë kuptojmë me Fake News? Nëse do të dimë ta përkufizojmë jeni në rrugën e duhur drejt shpërbërjes se tyre. Lajmet e rreme janë një lloj gazetarie apo formë propagande që përmban keqinformimin e qëllimtë përmes shtypit tradicional, transmetimeve tradicionale audiovizive dhe medias sociale në internet.
Beteja me të pavërtetën nuk përbën një sfide të re me të cilën po përballët media, por mjedisi në të cilën zhvillohet sot kjo betejë ka ndryshuar shumë, për shkak të zhvillimit të teknologjisë dhe internetit. Mediat Sociale dhe fenomenet e reja të kulturës politike nxjerrin sfida të reja para profesionistëve të medias. Në kohën e cunamit informativ, një alternativë është rikthimi tek bazat e gazetarisë.
Fake News që krijohen nga lajmet me teknikat e humorit apo parodisë
Lajmi shkruan se ish-kandidatja për zv/ Presidente e Amerikës në zgjedhjet e vitit 2008 kishte deklaruar se do të bojkotonte supermarketet në të cilat plaku i Krishtlindjeve ishte me ngjyrë. Sipas lajmit, Palin u justifikua me faktin se në Bibël plaku i Krishtlindjeve është gjithnjë i bardhë. Shkrimi i publikuar kishte tone satirike dhe një pjesë e lajmit ishte i sajuar. Megjithatë kjo nuk i pengoi mediat e tjera ta shpërndanin këtë lajm si një deklaratë të bërë nga Sara Palin. E vërteta e këtij lajmi qëndronte te supermarketi i cili kishte pajtuar një person me ngjyrë për t’u veshur si plaku i vitit të ri, ndërsa Palin nuk kishte bërë kurrë një deklaratë rreth kësaj.
Besimi në media të ndryshme
Një nga sondazhet e pakta mbi përdorimin e medias nga publiku tregoi se shqiptarët preferojnë të drejtohen tek mediat tradicionale për informacione të besueshme, megjithëse edhe mediat online kanë fituar terren gjatë kohëve të fundit.
Por cilat mund të jenë disa nga mënyrat që mund të ndjekim për të identifikuar Fake News?
- Ndërkohë që mediat shtohen çdo ditë, ato duhen konsultuar me kujdes, gjithmonë pyesni vetën, a është burimi i konsultuar familjar për ju?
- A ka një rubrikë “Rreth Nesh” ku shpjegohet qartë se kush janë themeluesit dhe cila është përgatitja e tyre?
- A përmban lajmi burime të qarta të referuara ne tekst?
- A është publikuar lajmi që po lexoni edhe nga media të tjera të besueshme?
- A ka shumë gabime gramatikore apo sintaksore lajmi që po lexoni?
- A shënohet në lajmin e publikuar data dhe ora e publikimit të lajmit?
- Ka ndonjë gjë të çuditshme në përmbajtjen e ‘url-së’ në të cilën është publikuar lajmi?
- Foto që shoqëron tekstin është apo jo e ndjekur nga një shpjegim për të, burimi i saj, autori apo agjencia që e ka publikuar atë.
- Është autori i tekstit i identifikuar në rreshtin e parë apo ajo?
- Ka ndonjë dokument zyrtar të përmendur apo të cituar në lajm?
Lajmet e rreme shpesh përdorin struktura të lajmeve profesioniste për të arritur audiencat, në këtë mënyrë ja dalin të penetrojnë audienca të gjera. Suksesi i lajmeve të rreme varet nga audienca, sa më i edukuar të jetë marrësi i informacionit aq më shumë barriera do të krijohen për depërtimin e këtij lloj informacioni në publikun e gjerë.
Burimet
Xhumbari, Sara. (shtator 2017). Kuadri ligjor mbi detyrimin e transmetimit të lajmeve të sakta dhe të verifikuara nga mediat audiovizive. Arkivi i AMA.
Norwegian Media Authority/Nordicom
Artikulli është publikuar fillimisht në www.mladirini.org