Shkolla ‘’16 shtatori’’ është shkolla e parë dhe e vetme e mesme e ndërtuar në qytetin e Shijakut. Meqenëse ajo është ndërtuar vite më parë me kalimin e kohës ka pësuar ndryshime të vazhdueshme derisa ka arritur në gjendjen që është sot.
Në mars të vitit 1913 u hap shkolla e parë shqipe në Shijak, me urdhër të Qeverisë së Ismail Qemalit. Ajo u njoh me emrin ‘’ Shkolla Unike’’ dhe drejtori i parë i saj ishte z. Ali Fortuzi. Me kalimin e kohës shkolla u pasurua me shumë nxënës dhe kjo çoi në formimin e një gjimnazi. Në nder të konferencës së Pezës gjimnazi mori emrin ‘’16 shtatori’’, ndërsa shkolla fillore u quajt ‘’Lidhja e Prizrenit’’.
Në shtator të vitit 1959 filluan mësimin dy paralelet e para të vitit të parë të gjimnazit rreth me 60 nxënës. Bazë për gjimnazin ishin klasat e shtata të vitit shkollor 1958 – 1959 dhe nxënës të fshatrave të ndryshëm si: Xhafzotaj, Shtrazë, Maminas, Sukth, Rreth, Shetel, Ardhishte etj. Drejtori i parë i shkollës ishte z. Burhan Hoti dhe shkolla u çel në prag të 15 – vjetorit të Çlirimit të Shqipërisië.
Në vitin 1963 gjimnazi nxorri 25 maturantët e parë, të cilët u quajtën ‘’Dallëndyshet e para’’. Ndërkaq në 1968 Presidenti i Kuvendit Popullor i jep shkollës ‘’Urdhërin e Punës së Klasit të Tretë’’ për rezultate gjithmonë në rritje.
Në 30 vjetorin e saj shkolla numëronte 461 nxënës me shkëputje nga puna dhe 390 pa shkëputje nga puna. Në të jepnin mësim 23 mësues. Ndërkaq më 1970 – 1971 hapet paraleli i parë i degës Agronomi dhe hapen profile si: Mekanike, Ekonomike.
Me 22 nëntor 1989 në shkollën ‘’16 shtatori’’, me rastin e 30-vjetorit të saj, u mbajt sesioni shkencor ‘’Shkolla jonë ndër vite’’. Gjimnazi ishte dalluar për arritje të gjithanshme me veprimtari kulturore, artistike, shkencore dhe nivel të lartë mësimor-edukativ, duke u vlerësuar me çmime të ndryshme. Shkolla ka marrë fletë nderi për aktivizim të gjithanshëm në të gjitha drejtimet.
Gjimnazi është dalluar për mësues me cilësi të lartë të cilët si pasojë kanë nxjerrë nxënës me nivel të lartë, e kjo është treguar dhe në nivelin e lartë të maturantëve, shumë prej të cilëve kanë fituar degë të ndryshme universiteti.
Sot shkolla ‘’16 shtatori’’ ka 11 klasa. Viti i parë ka 4 paralele, i dyti 3 dhe i treti 3 paralele. Në këtë shkollë japin mësim 21 mësues dhe drejtori aktual është z. Gentian Shahini.