Një nga problematikat me të cilat përballet shoqëria jonë është pabarazia gjinore. Një hendek i tillë vjen si pasojë e një sistemi jo favorizues lidhur ngushtë me kulturën dhe normat vendase; dhe të një sërë faktorëve politikë, ekonomikë dhe socialë. Kjo pabarazi sjell diferencime, shpeshherë të thella dhe me pasoja afatgjata në mjedisin familjar, shoqëror dhe profesional. Pabarazia gjinore në shkollë, është një prej bazave të formimit intelektual të individit dhe është një sfidë e rëndësishme për tu tejkaluar, jo vetëm për të rinjtë por edhe për institucionet përgjegjëse dhe politikave të tyre sociale.
Pabarazia në kontekstin shqiptar tenton të frymëzohet nga normat tradicionale dhe mentaliteti i shoqërisë. Stereotipet gjinore janë një pjesë e pandarë e shoqërisë, të cilat përveçse krijohen, edhe diktojnë si duhet të jetë sjellja, veprimtaria dhe aspiratat e një të riu. Ato janë të bazuara në vlerat njerëzore të cilat tradicionalisht i janë atribuuar njërës gjini apo tjetrës. Vihet re se vlerat me të cilat janë karakterizuar djemtë shihen si atribute pozitive për të dyja gjinitë, ndërsa vlerat e vajzave shihen ose si të rëndësishme vetëm për vajzat, ose si pa vlerë. Kjo ndarje shihet si baza e patriarkisë dhe si kontribues kryesor i dallimeve gjinore duke formuar një marrëdhënie asimetrike mes dy palëve dhe shpërndarje të pabarabartë të fuqisë.
Lidhur me fushën e edukimit, stereotipet gjinore formojnë këto dy dallime kryesore: vajzat edukohen për tu kujdesur për të tjerët, ndërsa djemtë edukohen për të dominuar. Përgjatë jetës, veprimtaria e vajzave lidhet vazhdimisht me nocionin e mëmësisë dhe përkujdesjes, çka i zhvesh ato si individë dhe i vlerëson bazuar në biologjinë fizike të tyre. Veprimtaria e djemve lidhet me egocentrizmin, garën dhe forcën. Në të njëjtën mënyrë, ky përkufizim i zhvesh ata nga cilësitë dhe ndjenjat e tyre si individë, duke u përpjekur për t’i larguar sa më shumë nga modeli feminin. Kjo është një ndër arsyet pse profesionet më të paguara janë ato tradicionalisht të burrave, si inxhinieria, mjekësia, shkencat, apo të tjera.
Aq të forta janë këto norma, sa pasqyrohen jo vetëm në marrëdhënien mësues-nxënës, por edhe në kurrikulën dhe tekstet mësimore. Ilustrimet dhe shembujt e përdorur në libra shpesh lënë pas identitetin e vërtetë të individëve dhe kanë tendencën të përshkruajnë situata të caktuara ku vajzat kanë role të ndara nga djemtë. Zakonisht figura e shkencëtarit, shkrimtarit apo artistit në tekstet shkollore janë të përfaqësuara nga burrat. Nga ana tjetër, vajzat janë të përfaqësuara nga roli familjar dhe me tendencë më pak identifikuese në aspektin profesional. Gjithashtu, mënyra sesi mësuesit sillen apo u përgjigjen nxënësve mund të lërë tek ta një ndikim psikologjik të fortë, pasi ata janë figura e dytë autoritare që prezantohet në jetën e një fëmije pas prindërve, dhe si të tillë, merren si shembull. Gjuha seksiste është prezente në bisedat e përditshme, një fenomen i cili mund të mos vihet re në fillim. Mësuesit janë më të prirur t’i vlerësojnë djemtë për njohuritë e tyre dhe të kritikojnë vajzat për gabimet e tyre, duke theksuar kështu se zhvillimi akademik i djemve ka më shumë rëndësi se i vajzave.
Shpesh, djemve u jepet më shumë prioritet në lëndët shkencore sesa vajzave. Vajzat, nga ana tjetër, vlerësohen më shumë kur sillen në mënyrë të sjellshme, sesa kur dalin mirë në mësime. Djemtë marrin komplimente për forcën dhe guximin, ndërsa vajzat për qetësinë dhe ëmbëlsinë. Studime të ndryshme kanë treguar se të tilla perceptime tradicionale jo vetëm që ulin efikasitetin e rezultateve të nxënësve në provime e detyra, por edhe ndikojnë në zgjedhjet akademike të nxënësve. Ato u vënë korniza sjelljeve dhe prirjeve që priten nga njëra gjini apo tjetra. Megjithëse vajzat kanë rezultate më të larta sesa djemtë në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, më vonë ato preferojnë lëndë që gjerësisht vlerësohen më pak se lëndët që zgjedhin djemtë.
Stereotipet gjinore dhe gjuha seksiste ndikojnë në perceptimin e të rinjve për veten dhe për të tjerët. Të rinjtë marrin si shembull modele të cilat iu paraqiten nga shoqëria, e duke qenë se shpesh këto modele janë të diktuara nga gjinia e jo vetëm nga aftësia, njëra palë apo tjetra mund të humbë besimin në vetvete. Për shembull, 44.3% e vajzave që edukohen në ciklin e lartë studiojnë për profesionet e fushës së shëndetit, edukimit, çështjeve sociale apo arteve, të cilat janë profesione që paguhen përgjithësisht më pak se të tjerat, ose që nuk kanë një treg pune të suksesshëm. Nga ana tjetër, djemtë që studiojnë në këto degë janë vetëm 21.4% e totalit. Gjithashtu, vihet re se megjithëse vajzat ndjekin edukimin e lartë në një numër më të madh (18.2% e numrit total të grave në Shqipëri, sesa burrat 14.5%) vajzat përfundojnë rrallë në pozicione drejtuese, pasi numrin më të lartë në këtë drejtim e zënë burrat.
Mosdhënia e mundësive të barabarta për të dyja gjinitë shfaq një problematike shqetësuese. Kjo pabarazi nuk ka vetëm pasoja në psikologjinë e nxënësve dhe marrëdhëniet midis tyre, por edhe të ardhmen e Shqipërisë. Jo të gjithë kanë mundësi të profilizohen, apo të zgjedhin një fushë studimi sipas dëshirës së tyre. Kjo mund të vijë si pasojë e paragjykimeve që ekzistojnë lidhur me gjinizimin e disa profesioneve specifike. Si rrjedhojë, ka më pak diversitet dhe krijimtari në punë, çka përkthehet në më pak përmirësim në ekonomi, dhe në mirëqenie më të ulët. Për shembull, në 2012, GDP-ja e Shqipërisë ishte 20% më e ulët nga ç’mund të ishte nëse të dyja gjinitë do të funksiononin lirisht në tregun e punës, pa u kufizuar nga presioni shoqëror për profesionin e tyre.
Pabarazia gjinore është një problematikë, zanafilla e së cilës nis që në fëmijëri, dhe vazhdon i ndjek përgjatë gjithë jetës. Integrimi i grave dhe burrave në shoqëri, pa marrë parasysh stereotipet dhe ndasitë gjinore, do të sillte një përmirësim të dukshëm, jo vetëm në aspektin ekonomik apo social, por dhe në rritjen e vetëvlerësimit. Detyrimi ynë qytetar për vlerësimin dhe respektin ndaj çdo individi, pavarësisht gjinisë dhe elementeve të tjerë, duhet të jetë më i fortë së dëshira për të identifikuar dallimet. Është përgjegjësi personale, por gjithashtu dhe kolektive, ulja e diskriminimit dhe pabarazisë gjinore. Nëse do të ishim më pranë njëri-tjetrit, do të kuptonim se ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë.