Të rinj dhe të reja, drejtues shkollash, oficerë sigurie, psikologë sikundër dhe zyrtarë të qeverisjes vendore, të policisë së shtetit dhe zyrave vendore arsimore nga 140 shkolla të mesme në 61 bashkitë u njohën me modelin shumë aktorial “Shkolla Qendër Komunitare për Komunitete të Qëndrueshme në luftë kundër ekstremizmit në dhunshëm” përmes 9 takimeve rajonale.
Përfaqësuesit nga 16 shkolla të mesme të vendit që punojnë prej katër vitesh me mbështetjen e Ambasadës së SHBA në Shqipëri, ndanë përvojat e tyre për shndërrimin e shkollave dhe të rinjve promotor të zhvillimit të qëndrueshme në komunitetet e tyre.
Diskutimet u përqëndruan në ndarjen e praktikave të mira gjatë zbatimit të modelin SHQK në nivel vendor; shkëmbimin e përvojave midis shkollave; dhe aktivizimin e të rinjve dhe nxitjen e vullnetarizmit përmes nismave lokale për të krijuar komunitete të qëndrueshme kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Suksesi i modelit SHQK bazohet në ndërveprimin midis institucioneve shtetërore dhe komunitetit, duke bërë pjesë të këtij takimi drejtues shkollash, mësues, nxënës, oficer të sigurisë, punonjës të shërbimit psiko-social, përfaqësues të bashkive, Policisë së Shtetit, Zyrave Vendore Arsimore dhe aktorë të tjerë të interesuar.
Pjesëmarrësit vlerësuan përvojën dhe mbështetën modelin shumëaktorial që krijon një perspektivë reale për të rinjtë në angazhimet e tyre sociale dhe të karrierës. Shembujt përfshinin ndërtimin e kapaciteteve të të rinjve, aftësimin e tyre, ndërveprimin në komunitet përmes një sërë nismash vullnetarizmi, trajnime për debatin dhe IT, aktivitete sportive, etj.
Me shumë interes u pritën modele të pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrjen vendore dhe për komunitete më të sigurta. Po me aq interes u ndoqën shembujt nga shkolla të ndryshme ku prindër dhe mësues behën pjesë aktive e angazhimit të të rinjve.
Kjo nismë po gjen mbështetjen e bashkive edhe në zbatim të Ligjit për Rininë, ku nuk munguan diskutimet për promovimin e mëtejshëm të një perspektive konkrete dhe afatgjatë për komunitete të qëndrueshme.
IDM Albania, e inkurajuar nga kjo mbështetje, do të shtojë përpjekjet për rrjetëzimin kombëtar të shkollave dhe për përmirësimin e politikave publike për qeverisjen e mirë edhe në këto drejtime të rëndësishme që përfshijnë të rinjtë dhe të rejat nga i gjithë vendi.