Autore: Sabrina Plaku, gjimnazi “M.K.Ataturk” Pajovë, klasa XI-A
27 Qershori i 2014 shënoi një hap të rëndësishëm për Shqipërinë, shtetin ku ne lindën e po jetojmë. Në këtë ditë ne arritëm të fitonim statusin e vendit kandidat, një hap i madh ky për një shtet të “vogël” si Shqipëria. Ky vendim i jep shtysë dhe inkurajim vendit tonë për të vazhduar me reformat ekzistuese e për të nisur reforma të reja për tupërgatitur për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Statusi i vendit kandidat nuk nënkupton se BE-ja do të fillojë automatikisht negociatat e anëtarësimit, që janë një hap i veçantë në procesin e integrimit në BE, për të cilat kërkohet progres në prioritetet kyçe.
Të ashtuquajturat “Kriteret e Kopenhagenit”, përcaktuar nga Këshilli Europian, kërkojnë që vendi kandidat të ketë:
- institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve;
- një ekonomi tregu funksionale, si dhe aftësinë për të përballuar presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut që veprojnë brenda Bashkimit Europian;
- aftësinë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, në mënyrë të veçantë objektivat politike, ekonomik dhe të bashkimit monetar.
Me plotësimin e këtyre kritereve ne do të mund ta arrijmë anëtarësimin në Bashkimin Europian.
BE, ëndrra e çdo shqiptari, nuk do të vazhdojë të mbetet e tillë e kyçur në sirtar, por nëse çdokush prej nesh do të kontribuojë në realizimin e kritereve që do ta cilësojnë Shqipërinë anëtare në Bashkimin Europian, kjo ëndërr do të bëhet realitet.
Thuhet se të rinjtë luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e një vendi. E pra këta të rinj jemi pikërisht ne. Ne jemi të aftë që së bashku të fortësojmë themelet dhe muret e vendit tonë, duke e bërë atë sa më unik e të qëndrueshëm.
Shqipëria ka nevojë për ne që jemi drejt rrugës të së ardhmes, e që bashkë më të, të ndërtojmë, sigurojmë dhe mundësojmë jetesën e të gjithëve.
Plot vuajtje, sakrificë, gjak i humbur, jetë të shuara, të qara pa mbarim, dhimbje e plot sfida të tjera të mëdha ka kaluar kjo tokë, por tani është koha për ndryshim, sepse një dritë verbuese e plot jetë është duke na dhënë dorën. Ne na mbetet thjesht të bëjmë disa hapa para dhe do ta gjejmë veten atje ku dhe fqinjët tanë janë.
Nëse ne nuk duam që familjarët tanë të vuajnë duke emigruar në mënyra nga më të ndryshmet për të siguaruar jetesën, nëse ne duam që të lëvizim drejt vendeve të tjera pa hasur pengesa, nëse ne duam që shkolla jonë të njihet në çdo vend të kontinentit tonë, duke na ofruar mundesi të gjerë punësimi, nëse ne duam që të jetojmë sa më të sigurtë dhe në kushte më të mira, koha për t’i arritur këto është pikërisht tani.
E ardhmja po na pret, prandaj le të bëhemi bashkë drejt arritjes që duam, sepse bashkimi bën fuqinë dhe të jemi të bindur që do t’ia dalim.