Pyetje të shpeshta
Shkolla qendër komunitare (SHQK) është një nismë e përbashkët që dallon për tërësinë e marrëdhënieve që lidhin shkollën, familjen dhe komunitetin. Ajo dallon për fokusin e saj në zhvillimin akademik të fëmijëve dhe të rinjve, angazhimin dhe kontributin qytetar, mbështetjen e familjes, shërbimet sociale me fokus sigurinë dhe shëndetin si dhe shërbimet komunitare.
SHQK synon zhvillimin cilësor të shkollës dhe aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve si qytetarë të gatshëm dhe të aftë për të kontribuar në komunitetet e tyre. Sistemi arsimor shqiptar ka nevojë për shkollat komunitare, sepse vëzhgimet e kryera dhe përvoja ka treguar që fëmijët dhe të rinjtë kanë nevojë për më shumë mundësi dhe mbështetje që të kenë sukses në studimet dhe veprimtaritë e tyre brenda dhe jashtë orarit mësimor. SHQK mbështetet në moton e të punuarit së bashku për një qëllim të përbashkët.
SHQK konsiderohen ato institucione arsimore, të cilat i shërbejnë jo vetëm komunitetit shkollor (nxënës dhe mësues) por janë të hapura dhe në shërbim të gjithë anëtarëve të komunitetit.
SHQK janë institucione të cilat ngrenë dhe zhvillojnë punën e tyre bazuar në nevojat e nxënësve, të familjeve dhe komunitetit;
- SHQK ofrojnë një sërë shërbimesh, pas orarit mësimor, për nxënësit, familjet dhe komunitetin;
- SHQK pranojnë prindërit si bashkë-edukatorë dhe angazhojnë ata në vendimmarrje të përbashkëta;
- SHQK sigurojnë kohezionin social;
- SHQK ngrihen mbi pikat e forta të komunitetit.
Shkolla duket se është transformuar në një institucion të mbyllur dhe të fokusuar vetëm në një funksion, atë të mësimdhënies. Sot shumëkush e sheh atë si të izoluar nga komuniteti. Shndërrimi i shkollave në qendra komunitare bën që ato të funksionojnë dhe të perceptohen si institucioni ku ndërveprohet, bashkëpunohet dhe krijohet.
Studimet dhe përvojat e suksesshme kanë treguar se kur shkollat punojnë në partneritet me aktorët e tjerë krijohen mundësitë për të tejkaluar barrierat e të nxënit duke çuar drejt suksesit. Në këtë kuptim SHQK nxisin për të synuar cilësi më të lartë.
Shkollat, familja dhe komuniteti punojnë së bashku: (a) për të ndërtuar strategji të qëndrueshme për fëmijët, të rinjtë dhe familjet; (b) për të pasuruar dhe nxitur përmes veprimtarive formale dhe jo formale; dhe (c) për të siguruar një mjedis që ofron dhe integron shërbime për shkollën, familjen dhe komunitetin.
Modeli SHQK kërkon angazhim të përbashkët dhe përgjegjësi të përbashkëta nga aktorët kryesorë vendorë, siç janë: shkollat e mesme (përfshirë stafin akademik, prindërit, studentët dhe stafin psiko-social); komisariatet lokale të policisë, njësitë e qeverisjes vendore, grupet komunitare dhe grupet e të rinjve, komuniteti i biznesit. Për ta arritur këtë, veprimi i propozuar do të mundësojë një kuadër solid - bazuar në role konkrete dhe në përgjegjësi të përbashkëta - midis palëve të interesuara. I gjithë veprimi është konceptuar dhe do të drejtohet nga dy qasje kryesore: (a) qasja e të gjithë shoqërisë, dhe (b) bashkëpunimi strategjik multi-sektorial.